Jump to content

Dogana

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dogana është një autoritet ose agjensi qeveritare e një vendi që ka për detyrë mbledhjen e detyrimeve të importit si dhe kontrollin e mjeteve dhe mallrave që hyjnë/dalin në/nga territori doganor i atij vendi. Dogana ka lindur dhe është zhvilluar së bashku me shtetin, megjithatë roli dhe misioni i saj kanë mbetur për mijëra vjet të pandryshuar. Në kohët e sotme, kur liberalizmi dhe integrimi i tregjeve i ka zënë vendin proteksionizmit, dogana ka marrë një rol të ri qe ka të bëjë me (1) lehtësimin e tregtisë dhe (2) mbrojtjen e komunitetit.

Në përgjithësi, dogana dallohet nga autoritetet e imigracionit, të cilat kanë për detyrë të mbikqyrin dhe kontrollojnë personat që mbërrijnë apo largohen nga vendi.

Ne gjuhën shqipe fjala "doganë" duket se është huazuar nga italishtja "la dogana".

Disa fakte historike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Akoma nuk është shumë e qartë se ku dhe kur lindi saktësisht koncepti i doganës për herë të parë. Adam Smith[1] në veprën e tij të famshme “Pasuria e kombeve” (The Wealth of Nations)[2] tregon se dogana, si një pagesë e zakonshme detyrimesh, ka ekzistuar qysh prej kohëve që nuk mbahen mend. Duket se edhe fjala angleze Customs me të cilën anglezët thërrasin doganën rrjedh nga "costumary payments" që do të thotë "pagesa të zakonshme".

Thuhet që dogana ka ekzistuar që në kohën e Mbretërisë së Vjetër në Egjiptin e Lashtë, rreth viteve 2700-2200 para Krishtit. Gjenden fakte që tregojnë se “drejtuesit e karvanëve”, titull ky për një nga postet që i përkiste administratës zyrtare të asaj kohe, i cili ishte përgjegjës për regjistrimin e mallrave që hynin dhe dilnin nga Egjipti, mblidhte bashkë me statistikat edhe detyrimet doganore, duke pasur kështu funksione të ngjashme me ato të një drejtori të përgjithshëm të doganave të sotme. Shumë libra i referohen tregtisë dhe doganave në Egjiptin e Lashtë. Për shembull, shkrimtari dhe arkeologu britanik Leonard Cotrell e përshkruan kështu gjendjen në portin e Tebës (Thebes)[3] (Luxori i sotëm) në librin e tij “Jeta nën sundimin e Faraonëve” :

“Që nga anija, ndërsa hidhje sytë nga bregu, mund të shihje një numër të madh ndërtesash me mure prej tullash argjile, që nuk ishin gjë tjetër, veçse hangarët e portit, magazina, zyrat e doganës, dyqane, taverna, shtëpi publike dhe kasollet e lagjeve të varfra”.

Pavarësisht nga këto fakte, e vërteta është se nuk ka dokumente konkrete historike që të konfirmojnë ekzistencën e doganës në Mbretëritë e Vjetra të Faraonëve të Egjiptit. Vetëm në disa dokumente që i përkasin periudhës së Mbretërisë së Re në Egjiptin e Lashtë, janë gjetur gjurmë që provojnë ekzistencën e doganës që në atë kohë. E tillë është për shembull, pllaka prej guri e varrit të mbretit Necho që i takon viteve 609-594 para Krishtit. Megjithatë, të gjitha të dhënat të bëjnë të mendosh se dogana nuk zinte ndonjë vend shumë të rëndësishëm në administratën e Egjiptit të Lashtë. Kjo lidhet me faktin se pjesa më e madhe e të ardhurave vinte nga taksat mbi tokën dhe prodhimet bujqësore si dhe nga që pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme, siç ka qenë për shembull importimi i bredhave Libanezë, kryhej ekskluzivisht nga vetë shteti.

Interesante janë edhe një sërë faktesh që mund të gjenden me shumicë në faqet e librit më të lexuar mbi faqe të Dheut, Bibla, ku përveç rrënjëve të traditës mund të shohim edhe ato të problemeve që na shqetësojnë edhe sot e kësaj dite, siç mund të jenë tendenca për të mos paguar taksa dhe korrupsioni i atyre që merren me mbledhjen e tyre.

Kur Jezusi vajti të predikonte fjalën e Perëndisë në Jerusalem, krerët e priftërinjve dhe skribët deshën ta provokonin duke e pyetur :

“A është e lejueshme për ne ti paguajmë taksë Çezarit apo jo ?”. Por Ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre u tha: “Përse më provokoni ? Më tregoni një monedhë: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?” Dhe ata duke ju përgjegjur thanë : “E Çezarit”. Atëhere Ai u tha atyre: “I jepni pra, Çezarit atë që i takon Çezarit dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë”. Që në atë kohë...(shiko Mateu 9,9 dhe 10,3; Marku 12, 14-17 dhe Luka 19, 1-10)

Njeri nga dishepujt e Jezusit, Mateus, kishte qenë doganier dhe në kujtim të këtij fakti, dita e Shën Mateut shpesh celebrohet në ditët e sotme si Dita e Doganiereve.

Tarifa doganore më e vjetër

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ka të ngjarë që tarifën e parë doganore ta kenë shpikur senatorët e qytetit oazë të Palmyras, në shkretëtirën siriane. Kanë qenë ata që sajuan një sistem tarifimi doganor parimet e të cilit u përdoren gjerësisht edhe gjatë shekullit të 20-të e vazhdojnë edhe sot.

Natyrisht që taksat doganore duhej të kenë ekzistuar edhe më herët, por më parë ato konsistonin në një nivel të vetëm taksimi (flat rate), i cili zbatohej për të gjitha llojet e mallrave. Në të kundërt, tarifa doganore e Palmyras përbëhej nga nivele të ndryshme tarifore për mallra të llojeve të ndryshme, duke shënuar kështu lindjen e asaj që sot ne e quajmë nomenklaturë doganore të mallrave.

Tarifa doganore e Palmyras, nëse mund të quhet e tillë, përbënte pjesën më të rëndësishme të ligjit komunaltaksave në vend, dhe sot gjendet e gdhendur në një gur të madh në gjuhën greke dhe aramike. Mbledhja e taksave doganore ishte një privilegj që perandori romak Hadrianus i kishte dhënë qytetit të Palmyras. Ai e donte atë qytet të mrekullueshëm të rrethuar me palma plot kokrra dhe që quhej ndryshe “nusja e shkretëtirës”.

Tarifa e Palmyras, e gdhendur në gur, është zbuluar më 1881 nga një princ rus, i quajtur Abamalek Lazarov dhe sot ruhet në Hermitage MuseumShën Peterburgut. Ja disa pasazhe nga teksti i gdhendur në këtë atë gur:

“Personi i caktuar si doganier duhet të mbledhë një detyrim për çdo ngarkesë deveje : tre dinarë për çdo deve që hyn në Tadmor (Palmyra) dhe tre dinarë për çdo deve me ngarkesë që del nga Tadmori.

Leshi i ngjyrosur në të purpurt - për çdo deng të importuar ose eksportuar, tre dinarë.

Për çdo hejbe gomari me vajra aromatikë të vendosur në vazo alabastre, shtatë dinarë në import dhe eksport.

Për ushqimet e kriposura që transportohen me gomar, personi i ngarkuar në pikën doganore duhet të mbledhë tre dinarë për ngarkesë, në import dhe eksport.”

Dënimet për kontrabandë – 2000 vjet më parë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nuk është aspak gabim të mendohet se dogana ka lindur së bashku me tregtinë. Nga ana tjetër bashkë me doganën duhet të ketë lidur tendenca për të mos paguar detyrimet e caktuara, dhe që ne sot e quajmë kontrabandë tregtare. Për këtë fakt dëshmon indirekt ekzistenca e ligjeve dhe rregulloreve që mundoheshin ta parandalonin kontrabandën, të cilat (ligjet dhe rregullat) gjenden kudo ku ekzistonte tregtia dhe dogana. Një nga ligjet më të spikatura në këtë drejtim është ligji i lashtë indian i njohur si “Ligji i Manu”. Studiues të shumtë janë marrë me këtë ligj, që duket se ka hedhur bazat e filozofisë indiane dhe që i takon periudhës nga shekulli i dytë para Krishtit deri në shekullin e dytë pas Krishtit. Ky ligj nuk harron të formulojë edhe disa dispozita që lidhen me kontravajtjen doganore:

“Ai që i shmanget doganës, ai që ble ose shet mallra në një kohë të papërshtatshme, ose ai që bën një deklaratë të rreme gjatë numërimit të mallrave të tij, do të gjobitet sa tetë herë shuma që kërkon të mos paguajë.

Mbreti cakton nivelet për blerjen dhe shitjen e mallrave të tregtueshme, duke marrë në konsideratë nga vijnë dhe ku shkojnë ato mallra, sa kohë janë mbajtur në zotërim si dhe fitimin e mundshëm.

Njëherë në pesë net, ose në mbyllje të një dyjavori, mbreti cakton çmimet e tregtarëve”''

Ajo që paraqet interes të vihet re, në këtë tekst 2000 vjeçar, është gjoba e shumëfishtë që aplikohet në rastet e konstatimit të kontrabandës tregtare.

Pasuesit e Konfucit mbronin tregtinë e lirë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dokumentet historike që konfirmojnë ekzistencën e doganës në kohët e lashta janë zbuluar herë pas herë jo vetëm nga arkeologët por edhe nga njerëz të tjerë në të gjitha anët e botës. Për shembull në vitin 1957 në Anhiu të Kinës është gjetur një leje kalimi doganore prej bronxi me pamjen e një kallami bambuje. Të dhënat tregojnë se të tilla leje ishin nxjerrë nga mbreti Chu në shekullin e tretë para Krishtit. Një nga këto objekte që duket se ka qenë përdorur për kalimin e kufirit ujor përmban pasazhin e mëposhtëm:

“Kur paraqitet kjo leje kalimi, dogana nuk duhet të vendosë taksa. Pavarësisht nga kjo, taksa nuk do të vendosen për anijet që vijnë për tu riparuar si dhe për ushqimet e ekuipazheve. Në çdo rast tjetër kur kjo leje nuk paraqitet, taksa paguhet. Në çdo rast, sikurse edhe në rastin e doganës tokësore, taksat që mblidhen do të trajtohen si një e ardhur për Ministrinë e Financave dhe jo e ardhur për doganën.”

Siç shihet pra, dogana duhet të ketë ekzistuar që në kohën e mbretërimit të dinastisë Si Zhou në shekujt nga 11 deri 7 para Krishtit. Letërsia e shkruar gjatë asaj kohe i referohet taksës doganore si “një e shtata e një shume totale të formuar nga nëntë taksat me anë të të cilave mblidheshin të ardhurat”.

Të dhënat tregojnë se në Kinë rëndësia e taksave doganore për të ardhurat ishte akoma më e vogël se në Lindjen e Mesme apo në Evropë. Kjo ndoshta i dedikohet filozofisë kineze se doganat duhet të kontrollojnë dhe jo të mbledhin taksa.

Mencius (viti 372-289 para Krishtit), një nga pasuesit më të njohur të Konfucit, rekomandonte, si një nga pesë politikat bazë që duhet të ndiqeshin, që nuk duhet të mblidheshin taksa hyrjeje. Ai shpjegonte se nëse dogana vetëm do të kontrollonte dhe jo të mblidhte detyrimet doganore apo taksa të tjera që lidhen me kalimin e kufirit, çdo njeri do të dëshëronte gjithnjë e më shumë të udhëtonte nëpër rrugët e vendit, duke sjellë kështu prosperitet. Ishin pra konfucianët që 2000 vjet para Adam Smithit parashtronin dhe mbronin teorinë e tregtisë së lirë.

Shumë më herët se neni 7 i GATT-it

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vlerësimi doganor i mallrave ka shkaktuar në të gjitha kohërat probleme dhe kokëçarje si për doganën ashtu edhe për tregtarët. Neni 7 i GATT-it, kërkon që vlerësimi doganor i mallrave të bëhet duke u bazuar në vlerën aktuale të mallrave të importuara. Më tej “vlera aktuale” është përcaktuar si çmimi me të cilin, në kohën dhe vendin e përcaktuar nga legjislacioni, mallrat e caktuara ose të ngjashmet me to, janë shitur ose janë ofruar për shitje në kursin e zakonshëm tregtar dhe në kushte të plota konkuruese.

Është interesante të nënvizohet se është pikërisht kjo frymë mbi të cilën bëhet përcaktimi i vlerës doganore të mallrave në kohën e sotme, është gjetur në një traktat politik indian i quajtur “Artha-sastra”. Ky traktat është shkruajtur nga një filozof indian i quajtur Canakya (ose Kautilya) që ishte shkolluar në Taxila (Pakistani i sotëm) dhe që më vonë u bë këshilltar i mbretit indian Candragupta, i cili ka mbretëruar në vitet 321-297 para Krishtit. Nga pasazhi që merret me këtë çështje në “Artha-sastra” ne mund të dallojmë qartë se mbi çfarë parimesh udhëhiqej vlerësimi doganor në Indinë e Lashtë.

“Për mallrat që sillen pranë pikës doganore të hyrjes, tregtarët duhet të deklarojnë sasinë dhe çmimin e tyre duke thirur me zë të lartë tre herë këto fjalë, “kush i ble këto mallra për këtë çmim ?” dhe tja dorëzojnë ato atyre që e kërkojnë atë mall çmimin e ofruar. Kur ndodh që blerësit ta ngrejnë çmimin, shuma e rritur e çmimit sëbashku me detyrimin doganor duhet të derdhen në thesarin e mbretit. Kur, nisur nga frika se do të paguajë një taksë doganore të rëndë, shitësi ul sasinë ose çmimin e mallit, gjobitet me një shumë që është sa tetë herë detyrimi doganor. Edhe kjo shumë kalon në thesarin e mbretit.”




Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ [1]
  2. ^ [2]
  3. ^ [3][lidhje e vdekur]