Jump to content

Hamza Kazazi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fotoja që për vite me radhë mendohet se portretizonte Hamz agë Kazazin (më 1858), por sipas studimeve mendohet se është konsulli italian në vilajetin e Shkodrës me petka të parisë myslimane, Alessandro di Rege di Donato (v. 1881-1886).

Hamz agë Kazazi i njohur edhe thjesht Hamëz apo Hamza Kazazi (1799?/1800 - 1276 h; 1859/1860) ka qenë zanatçi, xhandar dhe ndër organizatorët e disa kryengritjeve në Shkodër gjysmën e parë të shekullit 19.

U lind në Shkodër në një familje zanatçinjsh, i ati i Hamzit quhej Hysejn, familje me njëfarë mirëqenieje.[1] Gojëdhëna popullore e tregon familjen të shkuar në Shkodër nga katundi Beltojë;[2] por sipas një pasardhësi të familjes, nuk ka asnjë provë për prejardhjen nga Beltoja, duke qenë se në komunizëm kryengritësve u nxirrnin origjinë fshatare e punëtore. Origjina e familjes është nga Malësia e Gjakovës të rënë njëherë në KastratMalësisë së Madhe, e më pas në Shkodër.[1]

Hamzanë kur ishte 10 vjeç, bashkë me hallën e tij e dërguan në Krajë e prej aty e kaluan në Ulqin. Pasi u mor me detari, shkoi në Egjipt ku u rrit dhe mbasi kaloi 20 vite në mërgim u kthye në atdhe. Në Shkodër banonte në shtëpinë e hallës në lagjen Perash dhe nisi të merrej me zejen e kazazllekut (dredhës mëndafshi) që si çirak e mësoi nga mjeshtri i quajtur Jakup Berlaci. Sipas gojëdhënave Hamzi ushtronte edhe mjeshtërinë e jorganxhiut, por nga llagëpi kuptohet që merrej kryesisht me mëndafshin. Me kohën doli mjeshtër më vete dhe e vazhdoi mjeshtërinë në sokakun e quajtur Sokaku i Hamzagës, emër me të cilin u quajt deri sa u prish Pazari i Shkodrës.

Esnafi i terzinjve prej problemit me nxjerrjen e të hollave ngarkojnë dikur Hamzin të shkruante një letër për t'ia paraqitur Vezirit, Mustafa Pashës. Nga kaligrafia Veziri kuptoi që shkruesi ishte njeri i kultivuar, dërgoi për ta thirrur, e mbasi i la përshtypje të mira e emëroi kulukçibash (kreu i kullukëve - punëtor angarie, beqar). Detyrë kjo që Hamzi e mbajti deri me ardhjen e Hafis Pashës si vali i Shkodrës.[2] Bashkë me këtë rol qe edhe kryetar i esnafit të terzinjve, por Hafiz Pasha duke ia hequr këtë rol repartit të beqarëve dhe formoi policinë e rregullt.[3]

Më 1835, Hafiz Pasha u kërkoi parisë shkodrane 100 vullnetarë për të dërguar në Shpuzë dhe 75 mijë grosh për meremetimin e kalasë së Shpuzë. Pas mosbindjes së parisë, Jusuf begu i Abdullah pashë Bushatlliut dhe Hamz Kazazi kryesuan një revoltë ndaj Hafiz Pashës, pasi ky zaptoi pazarin pas mospranimit të parisë shkodrane për t'iu përgjigjur kërkesave. Pasi ndeshi në këtë qëndresë, valiu kërkoi ndihmë dhe bejlerbeu i Rumelisë i dërgoi 3000 trupa nga Toskëria, të cilat u ndalën nga qëndresa në Lezhë ku po ashtu kishte shpërthyer një kryengritje ndaj qeveritarëve pas-Bushatllinj. Pas një viti, Stambolli e transferoi Hafis Pashën, në vendin e tij u emërua Osman Nuri Pasha dhe zbatimi i reformave u pezullua dhe nuk u dhanë taksat për ushtarë për 10 vjet.

Kazazi pasi nuk pësoi dënime nga autoritetet, u mor me punë private dhe iu dha privilegji bezhdebiri i peshkut, që i solli mjaft përfitime ekonomike. Sipas ditarit të Haxhi Musa Boriçit, Hamzi merrej edhe me të dhjeta.[4]

Nga vitet 1850 Hamzi ndërtoi një han në këmbët e kalasë, ku bunin shtegtarët kur vinin për tregti në qytet, hani njihej si Hani i Hamz Kazazit, dhe dikur më pas u shemb.[5] Më 1854 në krye të një pjese nga elementi mysliman të qytetit, kundërshtoi ndërtimin e Seminarin Papnor prej urdhrit jezuit, dhe ku ishin hedhur themelet e ndërtesës iu rrënuan muret dhe nuk u prekën me dorë për trembëdhjetë vjet. Perandoria Austriake, e angazhuar për të mbrojtur të drejtat e elementit katolik si perandori apostolike-romane, bëri një demonstratë detare dhe detyroi autoritetet osmane që t'i jepte fund çështjes.[6] Më 22 tetor 1956 Salih efendiu i madh dhe Salih efendiu i vogël, Ahmet efendi Kalaja, Hysen begu, Hamz Kazazi, Hasan aga dhe i vëllai Osman agë Hoti, Halil spahi Podgorica të shoqëruar nga disa kalorës, në formë internimi u dërguan në Stamboll. Mbasi u kthye në Shkodër prej internimit të dytë më 7 korrik 1859 me Salih efendinë e Ahmet efendinë dhe Hysen begun, kur arriti në Bushat u sëmur dhe nuk vonoi shumë e vdiq një vit më pas.[7]

Varri i Hamz agës qe ruajtur deri vonë në krahun e majtë të xhamisë Koplikej (ose qëmoti e quajtur xhamia e Haxhi Bajramit), pranë murit. Me prishjen e xhamisë në vitin 1967 edhe varri i tij u zhduk, por guri i atij varri u ruajt në muzeun e qytetit.[2] Varri i tij qe ngritur mbi katër gurë të mëdhenj anësor, mbi të cilët qenë vendosur katër gurë të tjerë po aq të mëdhenj. Nga juglindja i mungonte guri në pjesën e këmbëve. Ngritur në këmbë qe një gur i madh, në krye të të cilit qe një çallmë me turbanin sipër, tregues i pozitës së lartë shoqërore; ndërsa poshtë ishte shpata e tij. Në këtë gur kishte një gdhendje me gërma të alfabetit arab, e cila e transkriptuar në alfabetin latin dhe të përkthyera në gjuhën shqipe nga orientalisti Vexhi Buharaja më 31 janar 1971, ka pasë këtë përmbajtje:[7]

"O Zot, për hir të shenjtërisë së emrit tënd të bekuar [dhe] për hir të të lavdruemit të botës, mbretit të naltë të dy jetëve / Baje [këtë] varr një lulishte parajse, o Zot i gjithësisë së pafund. Le të bajë mëshirë dhe personi i nderuar i Ahmedit [Muhammedit]. Vetëm Ai ka aftësinë e vetme të krijimit dhe vetëm ai është i përhershëm [i pavdekshëm]. [Këtu pushon] i ndjeri dhe faluni nga mëkatet Haxhi Hamzë Agë Kazazi / Shqiptoni fatihanë për shpirtin e tij! Viti 1276 H [1860]"

Ndërsa sipas variantit të Hamdi Bushatit përmbajtja është:[2]

"O Zot i Madh! Për sedrin e të shejtnuemit emnit Tand të papërlyem, për nderin e të naltit lavdiplotë, mbretit të botës landore e shpirtnore mëshiroje shpirtin e të pushuemit në varr! O Zot i gjithësisë! Pastë ndihmën e përkrahjen shpirtnore të atij personazhi të pastër Ahmedii (Profeti Muhamet). I mëshirueshëm e i falun nga Krijuesi i gjithmonshëm, për shpirtin e Elhaxhi Hamz Kazazit një fatiha! Viti hixh. 1276"

Më 1858 është pandehur se është shkrepur fotoja e parë nga piaçentini Pietro Marubbi, ku portretizohet ai që për një kohë të gjatë është menduar se është Kazazi, por dyshime për datën janë shprehur së pari nga studjuesi Zija Shkodra. Është vënë në dukje se mosha e personit në foto nuk duket se përkon me foton që do të kishte vitin 1858,[8] studjues të tjerë kanë mëtuar se data e fotos nuk përkon me praninë e Hamz Kazazit në Shkodër, duke qenë se u kthye vetëm më 1859 pas internimit gati tre vjeçar. Kësodore pas hulumtimit në arkivin e fototekës "Marubi", krahasimit me një foto tjetër dhe shqyrtimit të teknikës së fotografive Bedeni konkludoi se në foton e pandehur të Hamzit në të vërtetë është portretizuar konsulli italian Alessandro di Rege di Donato, dhe fotoja i përket në fakt harkut kohor 1881-1886, vite kur Donato qe me shërbim konsullor në Shkodër.[7]

Sipas një pinjolli të familjes, stërnip i Hamz Kazazit i duket e pagjasë që pasi është botuar si kartolinë postale e shtypur më 1935 dhe që është mbajtur për vite si fotoja e atij personazhi historik dhe të mos i jetë hequr një familjeje të përndjekur nga regjimi nga bëmat e Jup Kazazit me vëllezër, të mos jetë e Kazazit. Sipas tij ka më të ngjarë që sistemimi i arkivit dhe datat të mos jenë të rregullta.[1]

  1. ^ a b c Kazazi, Hamz (28 nëntor 2015). "Mbrojtja e fotos së parë shqiptare, të Hamza Kazazit". balkanweb.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ a b c d Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 399–400. OCLC 645720493.
  3. ^ Selim Islami, Kristo Frashëri (1959), Historia e Shqipërisë: përgatitur nga një kolektiv punonjësish shkencorë të sektorëve të historisë së kohës së lashtë dhe të kohës së mesme, vëll. 1, Tirana: Instituti i Historisë dhe i Gjuhësise, fq. 492, OCLC 8423034
  4. ^ Bushati 1998, pp. 408-409.
  5. ^ Bushati 1998, p. 22.
  6. ^ Bushati 1998, p. 603.
  7. ^ a b c Bedeni, Luçjan (23 gusht 2015). "Në foton "e parë" shqiptare s'është Hamz Kazazi, por konsulli italian". issuu.com. Gazeta Shqiptare, suplementi Milosao.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ Kokonozi, Dashnor (2012). "A është fotoja e parë shqiptare vërtetë e vitit 1858?". tupani.wordpress.com.