Jump to content

Njësia administrative Ballagat

Coordinates: 41°00′N 19°28′E / 41.0°N 19.46°E / 41.0; 19.46
Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

41°00′N 19°28′E / 41.0°N 19.46°E / 41.0; 19.46

Njësia administrative Ballagat
Popullsia
 • Gjithsej3.521

Komuna Ballagat është një komunëShqipëri.[1]

Komuna Ballagat ndodhet në zonën veri-lindore të Rrethit të Lushnjës dhe bën pjesë në zonën e Darsisë. Diametri i Komunës është 6 km Lindje-Perëndim dhe 8 km Veri-Jug. Komuna Ballagat kufizohet në veri nga Komuna Gjoçaj e Rrethit të Peqinit, në lindje nga Komuna Shezë dhe Komuna Hysgjokaj, në jug nga Komuna Hysgjokaj dhe Komuna Golem, në perëndim nga Komuna Golem dhe Komuna Dushk. Komuna ka një formë gjeografike, pothuajse trekëndore dhe një reliev kodrinor dhe përbën zonën më të lartë të Rrethit te Lushnjës. Pika më e lartë është kodra e Mallagjecit me lartësi 272 m mbi nivelin e detit e më pas vijnë maja e Shkujkës dhe mali i Dardhasit. Komuna Ballagat ka në juridiksionin e saj 8 fshatra : Ballagati, që është edhe qendra administrative e komunës, Gjuzaj, Garunjas, Gjyshaj, Jazxhijas, Manasufaj, Matjan, Xibrraka. Sipërfaqja e përgjithshme e komunës është 2478 ha, nga e cila tokë e punuar 1849 ha, pyje 361 ha, troje 20 ha, tokë e pafrytshme 248 ha.

Gjurmët e banimit ne Komunën e Ballagatit janë mjaft të hershme. Këtë e vërtetojnë zbulimet arkeologjike, të cilat gjenden kryesisht në Kodrën e Mallagjecit. Kështu, nga punimi i tokës, janë gjetur objekte arkeologjike si: çekiç guri, i cili i përket epokës së gurit, shekulli IV - III p.e.r. (ndodhet në arkivin e Muzeut Kombëtar në Tiranë) ; enë balte të madhësive të ndryshme ; tjegulla katrore që përdoreshin në varret e të krishterëve. Sipas toponimisë së disa vendeve, vërtetohet se popullsia e zonës, shumë kohë më parë ka qënë e krishterë dhe këtë e tregojnë edhe toponimet. P.sh. kemi vendin e quajtur Sopi i Kishës në fshatin Jasxhijas etj.

Popullsia që jeton sot në komunë është e vendosur këtu ne shekullin XVI -XVII. Por kjo nuk do të thotë se kjo zonë ka qene e pabanuar më parë, përkundrazi ekzistojnë gojëdhëna se në këtë zonë kanë banuar popuj të besimit të krishterë. Por edhe në bazë të varreve të zbuluara, varre të mbuluara me tjegulla të mëdha (që banoret e zonës edhe sot u thonë tjegulla kauri) tregon se kjo zonë ka qënë e populluar. Gjithashtu në një vendbanim ndërmjet lagjes Tata dhe fshatit Garunjas me emrin Vederrik janë gjetur themele guri. Këta banorë janë shpërngulur ne zonën e Beratit, ku kanë formuar një fshat me të njëjtin emër. Gjithashtu për t’u përmendur është fakti se në vitet 1835-1845, popullsia e zonës mori pjese aktive ne Lëvizjen Kundër Reformave te Tanzimatit. Në vitin 1913, popullata e zonës u bë pre e masakrës së ushtrisë serbe, ku u theren rreth 50 burra, përfaqësues nga të gjithë fshatrat. Masakra serbe ka ndodhur 4 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht më 26 mars të vitit 1913. Gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare 1928-1939, fshati Ballagat ka qënë qendra më e madhe komunale e zonës, e cila përfshinte gjithë zonën e Darsisë ndodhej nën juridiksionin e Rrethit të Peqinit. Për t’u përmendur është edhe fakti, se popullsia e Komunës mori pjese aktive në Luftën e Dyte Botërore.

Popullsia e kësaj zone ka qënë historikisht shumë e lidhur me tokën. Kjo për faktin se në zonë nuk ka pasur kurbetçinj ose zanatçinj të tjerë përveçse bujq e blegtorë. Në këtë zonë nuk ka pasur çifligje. Kjo nuk do te thotë se nuk ka pasur diferencime ekonomike, por këto shkonin deri ne kufijtë e një fshatari të mesëm të cilët janë vlerësuar edhe pas çlirimit, pas shtetëzimit. Çdo familje ka pasur në pronësi një ngastër toke dhe një sasi blegtorie me të cilat plotësonte nevojat me të domosdoshme për të jetuar. Një gjë e tille vërtetohet edhe nga fakti se në vitin 1946 kur u krye reforma agrare në zonë nuk pati ndonjë përmbysje të madhe në pronësi, për pasoje kryesisht nga kjo reforme u prekën familjet e mesme. Kjo bëri që dhe reformat e vitit 1991 me ligjin 7501 nuk sollën diferencime të mëdha. Reforma agrare konsistoi më shumë në shtetëzimin e pyjeve dhe të kullotave.

Historikisht popullsia e Komunës ka qënë homogjene dhe e qëndrueshme, pasi nuk është ndikuar as nga largimet, as nga ardhjet, sidomos gjatë sistemit komunist, ku lëvizjet e popullsisë nuk lejoheshin, sidomos për popullsinë e fshatit. Në Komunë banon një popullsi vitale me një moshe relativisht të re. Pas shembjes se sistemit komunist, në ndryshimet demografike të popullsisë mbizotëronte lëvizja mekanike. Numri i largimeve ka pasur një rritje në periudhën 1992-2000 dhe konsiston kryesisht në kërkim të kushteve më të mira ekonomike e një jetë më të mirë. Pas kësaj periudhe, si rezultat i disa përmirësimeve që janë bërë në Komunë e sidomos në infrastrukturë dhe në cilësinë jetës, ka pasur një pakësim te largimeve. Popullsia në moshë pune në komunë pothuajse është e vetëpunësuar në tokën që ka përfituar nga reforma e ligjit 7501 datë 19.07.1991 “Për tokën”. Një numër disi i konsiderueshëm është punësuar në Greqi dhe pjesa tjetër që përbën një numër shumë të vogël është punësuar në bizneset e tjera dhe në sektorin shtetëror.

Toka bujqësore dhe pyjet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipërfaqen më të madhe të territorit që përfshihet në Komunën Ballagat, e përbënin pyjet dhe kullotat. Toka e punuar zinte një pjesë shumë të vogël të këtij territori. Në përgjithësi, gjithë territori ka qënë pronësi private, duke përfshirë edhe pyjet. Ky konkluzion rezulton nga emërtime që përdoren edhe sot si p.sh. “Zabeli i beut” Ballagat, “Pylli i Spahiut” Gjyshaj, “Zabeli i Cobos” Gjuzaj, “Shkoza e Vrapit” Gjyshaj, “Shkoza e Verranit” Garunjas, etj. Nga kjo rezulton se nuk ka pasur tokë belik (shtetërore). Duke qënë e tille, i gjithë territori është ruajtur dhe administruar mirë.

Pyjet kanë qënë kryesisht natyrore dhe të përbëre nga lisi, dushku, frashri, vidhi, shkoza, gjineshtra, etj. Kjo strukturë është ruajtur edhe sot, në zonat e shpëtuara nga shkatërrimi. Në territorin e komunës ka edhe sipërfaqe pyjore, që administrohen nga ndërmarrja pyjore. Fillimisht këto territore u pyllëzuan me akacie, të cilat nuk patën shumë jetëgjatësi, ndërsa tani janë pyllëzuar me pisha. Në këto pyje janë rritur edhe bimësi të tjera të vogla, që shërbenin si kullota për bagëtitë, si psh përveç barërave të llojeve të ndryshme edhe përrci, kulpra etj. Raporti pyje-kullotë-tokë e punuar, në favor të pyjeve dhe kullotave, u ruajt deri pas Luftës së Dytë Botërore. Pas kësaj sipërfaqja e pyjeve filloi te prishej. Ky proces kaloi ne dy faza kryesore : Së pari, me kryerjen e reformës agrare, pyjet u shtetëzuan të parët, ashtu si dhe kullotat, ujërat, etj. Kjo bëri që pylli të kthehej në një mall pa zot dhe si i tille, u keqpërdor në mënyrë të vazhdueshme. Me krijimin e ndërmarrjeve pyjore, u vendosën roje pyjesh, të cilët mbulonin një territor shumë të gjerë (në bazë lokaliteti), por që nuk ishin në gjendje të siguronin paprekshmërinë e kësaj pasurie te pazëvendësueshme, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ana ekologjike. Qëllimi i këtyre keqpërdorimeve ishte mbi të gjitha përftimi i druve të zjarrit për përdorim personal dhe për tregtim në Lushnje. Shumë familje të varfra, në atë periudhë jetonin me tregtimin e druve te zjarrit. Së dyti, me krijimin e kooperativave bujqësore, pyjet u dëmtuan në mënyrë të organizuar nga shteti, duke hapur toka të reja në bazë të një plani të përvitshëm, që bëhej nga Ministria e Bujqësisë për çdo rreth dhe, vetë rrethi e detajonte këtë plan për çdo kooperativë bujqësore. Kjo strategji e ndjekur nga shteti i atëhershëm e dëmtoi rëndë sistemin ekologjik në këtë zonë, që edhe në ditët tona, konsiderohet tepër e zhveshur edhe pse sipërfaqe të vogla pyjore janë ruajtur vende-vende. Realizimi i ndarjes së tokës, sipas ligjit 7501, bëri që në ditët e sotme, këto toka të shndërrohen kryesisht në toka arë.

Në komune ka 4 rezervuare uji për vaditje dhe peshkim. Këta rezervuarë sigurojnë ujë për vaditjen e 300 ha tokë bujqësore, ose për 16 % të sipërfaqes së punuar. Peshku që rritet në këta rezervuarë është i llojit pendëkuq ose krap dhe mesatarisht sasia e grumbullimit të peshkut është 500 kv peshk në vit. Në territorin e komunës ka ujëra të bollshme nëntokësore në thellësinë mbi 100 m. Këto burime uji përdoren për te pirë dhe për vaditje.

Bujqësia dhe Blegtoria

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë sistemit kooperativist të ekonomisë së centralizuar drejtimi kryesor ekonomik ka qënë bujqësia e cila zinte 67,8 % të sipërfaqes, pemëtaria 22,9 % dhe blegtoria (prodhimi foragjer) 9,3 % të sipërfaqes së tokës së punuar. Kjo situatë e shfrytëzimit të tokës vazhdoi afërsisht me këto parametra edhe gjatë viteve të demokracisë. Gjatë ndryshimeve demokratike një pjesë e konsiderueshme e pemëtarisë dhe e vreshtarisë u prishen, gjë e cila solli edhe ndryshime në strukturën e sipërfaqes së tokës bujqësore. Kështu në vitin 1995 ajo paraqitej si vijon: bujqësia 89 %, pemëtaria 11 %. Pas viteve 2000 vizioni i fermerëve për shfrytëzimin e tokës ka ndryshuar në drejtim të pemëtarisë, vreshtarisë dhe zhvillimit të kulturës së ullirit. Këto janë vlerësuar si më efektive dhe si kultura më të përshtatshme për zonën, klimën dhe kushtet e relievit dhe të përbërjes pedologjike të tokës. Ndër kulturat frutore më të përshtatshme dhe që kultivohen më shume janë: qershia, vishnja, kumbulla, kajsia, pjeshka dhe ulliri . Duke iu referuar llojit të tokës, kullotave dhe pyjeve, është bere i mundur dominimi i te imtave, kryesisht deles (raca merinos dhe cigaja) dhe dhisë. Lopa, përveçse ka qënë e pakët në numër, ka pasur edhe prodhimtari të ulët. Ka mbizotëruar raca vendase, e quajtur “mistrecka”, por më vonë u shtuan racat xhersei dhe laramanja e zezë. Pavarësisht nga ndryshimet që u bënë, qoftë në strukturë, në përbërjen racore dhe për pasojë edhe në rritjen e prodhimtarisë, blegtoria përgjithësisht ka pasur një peshë të ulët në prodhimin e përgjithshëm bujqësor. Traditë mbetet mbarështimi i të imtave dhe gjelit të detit, gjë që vazhdon edhe në ditët e sotme. Sipërfaqja e vogël e kullotave dhe rendimenti i ulët i prodhimit për shkak të mungesës së vaditjes, përbejnë shkaqet kryesore të moszhvillimit të mëtejshëm blegtoral në komunë.

Kushtet e favorshme për zhvillimin e bujqësisë që siguron toka, relievi dhe klima e bëjnë një zonë me interes në rrethin e Lushnjës për investime në sektorin e bujqësisë. Në komunë është zhvilluar kryesisht biznesi i prodhimeve bujqësore dhe pemëtarisë. Ka kushte mjaft të favorshme, sidomos për zhvillimin e pemëtarisë, vreshtarisë dhe ullirit. Në komunë mbizotëron biznesi i vogël e i mesëm e kryesisht ai i prodhimeve bujqësore.

Arsimi në komunë është i nivelit 9-vjeçar dhe i mesëm. Në vitin 1917 është hapur shkolla e parë në fshatin Gjuzaj, ku mësimi zhvillohej në xhami. Më vonë, mësimi u transferua në godinën e re të ndërtuar në vitin 1937, me kontributin e vetë fshatareve. Kjo shkolle qëndroi e hapur deri në vitin 1940. Në fshatin Ballagat, shkolla e parë u hap në vitin 1946 tek xhamia e fshatit Jasxhijas. Shkolla e parë 7-vjeçare u hap në vitin shkollor 1952-1953. Në vitin shkollor 1968-1969 hapet shkolla fillore në fshatin Xibrakë, në vitin shkollor 1969-1970 u hap shkolla 8-vjeçare në fshatin Gjuzaj, në vitin shkollor 1971-1972 u hap shkolla fillore në fshatin Manasufaj dhe në vitin shkollor 1950 -1951 u hap shkolla fillore në fshatin Gjyshaj. Shkolla e mesme bujqësore, pa shkëputje nga puna, dega agronomi, u hap në vitin shkollor 1971-1972 dhe funksionoi deri në vitin 1974-1975 me 40 nxënës, nga ku përfunduan studimet 13 nxënës. Në vitin shkollor 1987-1988 ndërtohet shkolla e re dy katëshe me 14 dhoma mësimi. Në vitin shkollor 1990-1991 hapet shkolla e mesme bujqësore me shkëputje nga puna, dega agronomi e cila në vitin shkollor 1991-1992 u kthye në të mesme të përgjithshme. Kjo shkollë funksion edhe sot. Numri i banorëve të komunës që kanë mbaruar arsimin e mesëm me dhe pa shkëputje nga puna, arrin mbi 700, ndërkohë që kanë mbaruar arsimin e lartë me dhe pa shkëputje nga puna mbi 100 persona.

Shërbimi shëndetësor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shërbimi shëndetësor varet nga Drejtoria e Shëndetit Publik e Qarkut Lushnje ndërsa Qeveria Komunale kujdeset që shërbimi të jetë në cilësinë e duhur dhe koordinon përpjekjet për shtimin dhe përmirësimin e ambienteve e të shërbimit shëndetësor. Ndër ndërhyrjet në fushën shëndetësore është për tu përmendur qendra shëndetësore e komunës që u rikonstruktua në vitin 2002 nga shoqata CESVI dhe u kompletua me pajisje të reja. Në të gjitha fshatrat ku ka shkolla fillore një dhome e shkollës shërben si ambulance në shërbim të fëmijëve. Po kështu janë ndërtuar ambulanca të reja në fshatrat Gjuzaj (viti 2003), Garunjas (viti 2004) dhe Jasxhias (viti 2005).


  1. ^ "Shoqata e Komunave". Arkivuar nga origjinali më 13 mars 2012. Marrë më 8 nëntor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)