Jump to content

Sulejman bej Delvina

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Sulejman bej Delvina
Kryeministër i Shqipërise
Në detyrë
30 janar, 1920 – 14 nëntor, 1920
Paraprirë ngaTurhan pashë Përmeti
Pasuar ngaIljaz bej Vrioni
Ministër i Brendshëm i Shqipërisë
Në detyrë
11 korrik 1921 – 16 tetor, 1921
Paraprirë ngaFuat bej Dibra, Mehdi bej Frashëri
Pasuar ngaBajram Fevzi
Ministër i Jashtëm i Shqipërisë
Në detyrë
16 qershor, 1924 – 24 dhjetor, 1924
Paraprirë ngaIljaz bej Vrioni
Pasuar ngaMonsinjor Gjergj Koleci, Myfid bej Libohova
Të dhëna vetjake
U lind më5 tetor, 1871
Delvinë, Perandoria Osmane
Vdiq më1 gusht, 1932
Vlorë, Shqipëri
NënshtetësiaShqiptare
Bashkëshortja/etmotra e Xhaferr Vilës (m. 1911)
Punësiminëpunës, profesor letërsie, politikan
Nënshkrimi

Sulejman bej Delvina i njohur edhe si Sylejman Fehmi[1] (Delvina, 5 tetor 1871 - Vlorë, 1 gusht 1933) ka qenë nëpunës i administratës osmane, profesor letërsie, veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare, kryeministër dhe ministër i shtetit shqiptar.

Lindi në Delvinë, i biri i Selim beut dhe vëllai i Namikut,[2] të derës Hajderagaj të Delvinës, ilaka me Dostët e Kardhiqit.[3] Arsimin fillor e kreu në vendlindje ndërsa RyzhdijenJaninë.[1] Studimet e larta i kreu në Stamboll në vitin 1898, në shkollën e lartë të administratës "Mylkie",[4] ku figuronte i regjistruar me vitlindjen 1872.

U emërua atashe në MPB-në Osmane në shtator të 1899 dhe më pas sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë,[1][3] si dhe profesor i letërsisë osmane në shkollën idadiStambollit më 1901, dhe po të njëjtin pozicion pati në liceun e Gallatasarait më 1905.[1] U bë shef seksioni në MPB dhe drejtor i përgjithshëm i vilajeteve. Ishte një ndër figurat qendrore të klubit shqiptar të Stambollit. Bashkë me patriotë të tjerë iu kundërvu politikës xhonturke dhe synimeve shoviniste të monarkive fqinje ndaj Shqipërisë.

Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare. Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të kombit shqiptar.

Në vitin 1918 bëri pjesë në delegacionin e kolonisë shqiptare të Stambollit, kryesuar nga Halil pashë Alizoti me pjesëtar P. Jul Bonatin, Fuad bej Dibrën, B. Blinishtin dhe Mihal Shan Tepelenën në Konferencën e Paqes për të mbrojtur çështjen e kufijve të Shqipërisë.[5]

Me punimet e Kongresit të Lushnjes emërohet kryetar i qeverisë së re.

Qeveria e tij u përball me detyrën e vështirë për t'u përballur me gjithçka nga fillimi. Qeveria e tij synoi zhvillimin e të gjitha degëve të administratës në fushën e brendshme dhe në mbrojtjen e pavarësisë së vendit në fushën e jashtme. Filloi punën e saj me mungesa të shumta. Gjatë muajve shkurt-mars, qeveria vuri kontrollin e saj në pjesën më të madhe të vendit. Më 6 mars 1920 komisioni i Shkodrës miratoi vendimet e Kongresit të Lushnjes. Më 13 mars 1920 qeveria e përfaqësuar nga ministrat Ahmet Zogu dhe Hoxha Kadri arriti bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit.

Më pas, Delvina mbështeti luftën kundër bandave esatiste më 1920 dhe ndihmoi në përfundimin me sukses të luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë. Po kështu si kryetar i qeverisë nënshkroi protokollint italo-shqiptar të datës 2 gusht 1920 për zbrazjen e Vlorës nga ushtria italiane. U çmua shumë për ndihmesën e tij në këtë luftë dhe mbylljen që iu bë këtij fërkimi. Në nëntor, për shkak të një "krize nervore", u detyrua të heqë dorë nga posti i kryeministrit.[3]

Qe deputet i prefekturës së Gjirokastrës i zgjedhur dy herë më 1921 dhe 1923, nga 1923 deri më 1925.[4][6]

U thirr prapë në detyrë si Ministër i Brendshëm në qeverinë e Iljaz bej Vrionit, 11 korrik 1921 deri më 16 tetor 1921. Në këtë detyrë ndenji 3 muaj e 5 ditë.

Mori pjesë në Lëvizjen e qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme për periudhën nga 16 qershor 1924 - 24 dhjetor 1924.

Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria për në Itali, pak vite pas mërgimit mësoi se kishte një sëmundje të rëndë. Ahmet Zogu pagoi të gjitha shpenzimet e duhura për ta kuruar, më 1928 rikthehet në Shqipëri, por sëmuret sërish në fillim të 1932. Për shkak të sëmundjes shkon në Vlorë, ku edhe vdiq më 1 gusht 1933.[4]

U varros në qytetin e lindjes ku qe varrosur edhe vëllai i tij pak muaj më parë, Namiku.

Në shkrimet e pabotuara të Faik Konicës, botuar për herë të parë më 1993, përshkruhet "një njeri i cili është anëtar i dorës zezë xhon-turke edhé ka marë një pjesë të njohur në vrasje të përgjithëshme t'Armenëve të mjerë më 1915-1916".[7]

  1. ^ a b c d Özdalga, Elisabeth (2005). Late Ottoman Society: The Intellectual Legacy (në anglisht). Psychology Press. fq. 328. ISBN 9780415341646.
  2. ^ Clayer, Nathalie (2007). Aux origines du nationalisme albanais: la naissance d'une nation majoritairement musulmane en Europe (në frëngjisht). Paris: Karthala. fq. 341. ISBN 9782845868168.
  3. ^ a b c Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 449–451, 579. ISBN 99927-780-6-7.
  4. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 110. ISBN 9789994356225.
  5. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 151. ISBN 978-9928-140-54-8.
  6. ^ Istrefi, Diana (2005). "Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005" (PDF). parlament.al. Tiranë. fq. 13, 17. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 19 tetor 2020. Marrë më 5 maj 2018.
  7. ^ Konica, Faik (1993) [1925]. Klosi, Ardian (red.). Për stërvitjen morale të popullit. Tiranë, Mynih: Quo vadis, Shqipëri?, Botime Albania. fq. 193. OCLC 57520926.