Zhani Ciko
Zhani Ciko | |
---|---|
U lind në | 8 dhjetor 1945 Gjirokastër |
Kombësia | shqiptar |
Shtetësia | shqiptar |
Shkollimi | Konservatori Shtetëror |
Profesioni | muzikant |
Bashkëshorti/ja | Rudina Ciko |
Zhani Ciko (Gjirokastër më 8 dhjetor 1945) është muzikant shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Gjirokastër, i ati i tij Mihal Ciko ishte këngëtar operistik, mjeshtër kori, i diplomuar në Konservatorin "Xhuzepe Verdi" në Milano, Itali. E ëma e tij ishte profesoreshë universiteti. Mësimet e para për violinë i mori që në moshën pesë vjeçare nga dajua i tij kompozitori i njohur shqiptar Nikolla Zoraqi. Pas përfundimit të Liceut Artistik ai vazhdon studimet në Konservatorin Shtetëror të Tiranës për violinë. Pas diplomimit në vitin 1967 fillon punë si violinist solist dhe Koncert-Maestër në Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe në Filarmoninë Shqiptare. Në të njëjtën kohë punonte edhe si pedagog i violinës në Institutin e Lartë të Arteve. Gjatë kësaj kohe Ciko interpretoi për herë të parë disa nga veprat madhore të literaturës violinistike shqiptare.
Në vitin 1970 në moshën 25 vjeçare Ciko emërohet Drejtor Atrtistik i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1973 kur iu ndalua dalja në skenë nga regjimi diktatorial i kohës dhe u dërgua për të punuar si mësues i thjeshtë muzike në Patos, një qytet i vogël në afërsi të Fierit. Kjo solli ndërprerjen e karrierës së tij artistike për një periudhë të gjatë. Gjatë periudhës kur ishte në Patos, Ciko punoi shumë për të gjallëruar jetën artistike në qytet, duke u respektuar kështu nga qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti. Më 1979 rikthehet pedagog i violinës e më pas Drejtor i Liceut Artistik Jordan Misja në Tiranë. Në atë kohë , në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Pedagogjike , ai konceptoi dhe zhvilloi bazat e pedagogjisë në shkollat e artit në të gjithë vendin. Më 1989 u emërua Drejtor Artistik i Orkestrës Sinfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Përveç aktivitetit intensiv me orkestrën e tij të harqeve, Zhani Ciko ka drejtuar edhe master class në Itali, Francë, Hungari, etj. Ai është anëtar i përhershëm i disa jurive ndërkombëtare në Shqipëri dhe jashtë vendit. Në fund të viteve '80 formoi orkestrën e harqeve Virtuozët e Rinj të Tiranës, me të cilën arriti shumë shpejt një sukses të madh. Nën drejtimin e tij orkestra ka fituar çmimet më të larta të vendit në Koncertet e Majit, në Konkurset e Shkollave të Muzikës, etj. Që në turnetë e para më 1989 në Austri, Itali dhe Greqi, arriti sukses edhe jashtë Shqipërisë. Më pas ftohet në aktivitete të tjera në Spanjë, Francë, Slloveni, Zvicër dhe Lihtenshtajn. Si dirigjent i orkestrës Virtuozët e Rinj të Tiranës ka marrë pjesë në Karynthische Sommer (Austri), Aix en Musique (Francë). Në Festivalin Ballkanik në Greqi orkestra u vlerësua si Ansambli më i mirë, ndërsa në prill 1996, në Festivalin Ndërkombëtar Pro Archi në Hungari, fitoi Çmimin e Parë Summa Cum Laude. Në maj 1997 u vlerësua sërish me çmim të parë në Festivalin Evropian të Muzikës në Belgjikë, dhe po atë vit ndërmori një turne në Gjermani, të vlerësuar si nga publiku edhe kritika vendase. Me orkestrën e harqeve prodhoi 3 videokaseta, si dhe 3 CD në bashkëpunim me firma austriake. Radio të ndryshme, si ORF, DRS, Radio Televizioni Slloven, Radio Televizioni Hungarez, si dhe radiot e Vatikanit, Bavarisë, Zvicrës dhe Suedisë, kanë transmetuar koncerte të kësaj orkestre. Nga viti 1989 deri në 2003 Zhani Ciko ishte Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të Radios Televizionit Shqiptar (RTSH). Me këtë orkestër, si dhe me Filarmoninë e Prishtinës, ai ka bërë një numër të madh të regjistrimeve , duke dhënë një kontribut të madh në kapërcimin e izolimit kulturor të Shqipërisë. Si dirigjent i orkestrës Zhani Ciko ka bashkëpunuar gjithashtu edhe me solistë të ndryshëm në Shqipëri, Itali dhe Austri, si edhe me ansamble korale në Austri, Spanjë dhe Francë. Midis të tjerash mund të përmendet realizimi i oratorit të Haydn Die Schöpfung, si edhe i operas Il Mondo della Luna po nga Haydn. Më 1998 Ciko ndërmori një turne tjetër në Suedi me 18 koncerte shumë të suksesshme. Po këtë vit ai themeloi ansamblin e parë të harqeve të Muzikës së Re në Shqipëri, tashmë të njohur me emrin AmrA, dhe me të cilin interpretoi disa nga veprat e Festivalit VII të Muzikës së Re Shqiptare. Një sukses tjetër i Zhani Cikos ishte pjesëmarrja në Festivalin Muzika dhe Rinia 2000, në Vjenë, ku orkestra e drejtuar prej tij u vlerësua me Çmimin e Parë për orkestrat e harqeve dhe me Çmimin e Madh të Bashkisë së Vjenës. Në vitin 2003 Zhani Ciko emërohet Drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit. Si institucioni më i rëndësishëm muzikor shqiptar, ky teatër arriti progres të madh nën drejtimin e tij, përmbushjen e standardeve artistike evropiane dhe bashkëpunoi me teatrot më të njohur në botë të tilla si Teatri i Operas i Romës, Maji Muzikor Fiorentin, Teatri Xhuzepe Verdi i Triestes, Opera e Marsejës, Teatri Muzikor i Vjenës, Teatri Kombëtar Kroat i Zagrebit dhe teatro të shumta dhe shtëpi të operas në SHBA.
Zhani Ciko u shkarkua në tetor të vitit 2013 nga qeveria e sapo ardhur në pushtet e kryeministrit Edi Rama, vendim që shkaktoi reagime ndër disa nga artistët shqiptarë. Tenori i njohur me famë ndërkombëtare Saimir Pirgu e quajti këtë vendim "të turpshëm".
Zhani Ciko është i martuar me Rudina Ciko, pianiste dhe pedagoge në Akademinë e Arteve.