Jump to content

Vincent van Gogh

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Autoportret i tij (1887)

Vincent Willem van Gogh (shqip: Vincent Villem van Gog; lindi më 30 Mars 1853 në Groot-Zundert te Breda, † 29 korrik 1890 në Auvers-sur-Oise, Francë) ishte një piktor hollandez dhe një nga themelueset më të rëndësishme të modernes.

Vincent Van Gogh u lind më 30 mars të vitit 1853 në Groot-Zundest, një fshat i vogël në jug të Holandës. I ati ishte pastor dhe xhaxhallarët e tij-shitësa veprash të artit. Edhe ai vetë nisi të punojë që në moshën 16-vjeçare në Hagë si një shitës i veprave të artit për kompaninë. Pikturat e tij patën qenë gjithnjë të errëta, por kohë pas kohe nisën të përkeqësoheshin deri më 1886, kur nisi sërish studimet në Cormon dhe u takua me piktorët impresionistë, mes të cilëve edhe Camille Pissarro, Claude Monet, Henri de Toulouse-Lautrec dhe Paul Gauguin. Pas takimit me mjeshtrat impresionistë, të cilët zgjidhnin ngjyra të çelura edhe ai nisi ta çelte disi paletin e të pikturonte me dorë më të vendosur. Jeta e tij ishte gati-gati e lumtur, por temperamenti shumë nervoz e bënte atë njeri të vështirë. Më 27 korrik të vitit 1890 ai shkoi në një fushë me grurë dhe qëlloi veten me armë në kraharor, më pas u kthye në dhomë, ku vdiq dy ditë më pas. Van Gogh e kaloi të gjithë jetën e tij të shkurtër duke pikturuar e duke luftuar me vetveten. Çrregullimet nervore, një kompleks i fëmijës së zëvendësuar, që e ndoqi pas gjithë jetën dhe absurditeti i epokës së artit, ku veprat e tij nuk shiteshin dhe aq shumë, e shtynë shpesh drejt akteve skizofrenike. Një nga historitë më tipike, e famshmja histori e veshit të tij.

Sipas biografëve, një të diel në mbrëmje, më 23 dhjetor 1888, Vincent Van Gogh, atëherë 35 vjeç, preu veshin dhe shkoi në një hotel të dorës së dytë ku kërkoi një prostitutë me emrin Rachel. Ia dhuroi asaj dhe i tha ta ruante me shumë kujdes. Biografë të tjerë pohojnë se ky episod ka ndodhur gjatë një grindjeje me mikun e tij Paul Gauguin, në shenjë proteste ndaj piktorit që ishte i shurdhët, lidhur me vetë Van Gogh.

Mes gjenialitetit dhe çmendurisë së Van Gogh-ut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një artist që lëkundet mes fesë, pikturës, dashurisë dhe çmendurisë. Një jetë në zgrip të varfërisë dhe një vdekje e papritur e mbetur mister, për t’u vulosur me përjetësi veprat e tij absolutisht të përsosura. Kur flitet për Van Gogh, nuk mund të mos flitet edhe për dikotominë gjeni-çmenduri, mishëruar më së miri në këtë motor të pikturës origjinale, unike.

Ekzistojnë mijëra hipoteza sëmundjeje. Ata që bazohen në biografi flasin për një lloj sëmundjeje veneriane, ose për sifilizin të trashëguar nga i ati, ose për skizofreni, depresion etj. Ata që bazohen në artin e tij, shohin në pikturat e tij karakteristika të përbashkëta me mijëra pacientë të tjerë që vuajnë nga sëmundje të trurit.

Me mjetet aktuale çdo supozim është i mundur, por asnjë nuk mund të jetë absolutisht i vërtetë. Ajo që na lejohet të themi është se arti i Van Gogh-ut është ndriçues dhe figura e tij e dobët, e vogël dhe vetmuar shpaloset në një realitet gjigant dhe të fuqishëm në historinë e artit dhe të ndjenjave njerëzore. Van Gogh lindi në Groot-Zundert, një fshat holandez, më 30 mars 1853, nga martesa e Theodorus van Gogh, pastor protestant, dhe Anna Cornelia-s. Ishte i pari i gjashtë vëllezërve, pas vdekjes së të parëlindurit të familjes, që mbante gjithashtu emrin e tij dhe që vdiq pas lindjes ekzaktësisht një vit para tij. Vincent do të kujtojë gjithmonë varrin pas shtëpisë, mbi të cilin shihte të shkruar emrin e tij. Ai ka pasur një fëmijëri të trazuar edhe për shkak të shetësimeve të herëpashershme të prindërve të tij dhe jeta e tij ngjan një ecjeje plor disfata ekzistenciale dhe sociale. Në vitin 1857 lindi vëllai Theodorus, i thirrur shkurt Theo, që do të kishte një rëndësi shumë të madhe në jetën e tij.

Udhëtimi në Evropë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga viti 1861 deri në 1868-ën frekuenton shkollën e vendit të tij dhe pastaj kolegjin e Zevenvergen, ku mëson frëngjishten, anglishten, gjermanishten dhe artin e vizatimit. Në vitin 1869 fillon të punojë në një dyqan arti në Aja, i themeluar nga xhaxhai i tij po me emrin Vincent. Kohën e lirë e kalon duke lexuar dhe duke vizituar muze, fillon një korrespondencë me vëllain e tij Theo dhe kalon pushimet tek prindërit në vendin e tij të lindjes. Vitet që pasojnë shënojnë për Van Gogh një udhëtim të vazhdueshëm nga një filial në tjetrin në dyqanin e artit të xhaxhait, transferime që do ta çojnë në Bruksel, Londër e Paris. Një nga punimet e tij më të rëndësishme është edhe “Kafja e natës”.

Predikues mes minatorëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në 1876-ën e lë punën përfundimisht dhe niset në një vend afër Londrës, në Ramsgate, ku punon si mësues i përkohshëm, duke marrë si shpërblim vetëm ushqim dhe strehim. Bëhet edhe ndihmës predikues dhe gjithmonë e më shumë dëshiron që t’ia dedikojë jetën fesë, por gjatë një vizitë tek prindërit e tij këta të fundit ngelen të tronditur nga kushtet në të cilat jetonte i biri dhe nuk duan që ai të niset sërish për në Londër.

Xhaxhai Vincent i gjen një tjetër punë, kësaj radhe si shitës në një librari të Dordrecht-it. Van Gogh fillon të jetojë sërish vetëm, frekuenton kihen e vendit dhe përkthen pjesë nga Bibla. E bind të atin që ta lejojë të frekuentojë një shkollë për predikues, por shumë shpejt i ndërpret studimet, të cilat u bënë shumë të vështira për të. E megjithatë, në 1879-ën punon si predikues në minierat e karbonit në Ëasmes të Borinage-s, ku realizon edhe skicat e para. Jeton në një varfëri të skajshme dhe shqetësohet për kushtet në të cilat punojë minatorët, të cilët përpiqet t’i ndihmojë me aq sa mundet. Por ky veprim shkakton pakënaqësi tek punëdhënësit e tij që e pushojnë nga puna duke e konsideruar të papërshtatshëm dhe duke e privuar nga talenti i tij. Van Gogh vazhdon të ndjekë prirjen e tij pa marrë asnjë kompensim. Jeton në kushte të vështira dhe vazhdon të lexojë dhe të vizatojë. Në këtë periudhë duhet të kenë filluar krizat që do të shënonin të ardhmen e tij. Vëllai Theo e kritikon për mënyrën se si është katandisur jeta e rij dhe Vincenti i ndërpret marrëdhëniet me të, për t’i rifilluar sërish pas një viti.

Egoist për dashuri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Theo e ndihmon financiarisht dhe e nxit të vazhdojë me pikturën. Kështu, Vincent shkon në Bruksel dhe frekuenton shkollën e artit, ku njihet me shumë piktorë dhe duke u bërë në vitin 1880 mik i piktorit Anton van Rappard. Në këtë periudhë realizon kopje të veprave të Jean-François Millet.

Në vitin 1881 dashurohet me kushërirën Kate, vejushë prej pak kohësh dhe me një fëmijë, po pa arritur të ketë një lidhje me të. Pas një kërkese për martesë, ai merr refuzimin e saj. I dëshpëruar Van Gogh djeg njërën dorë në flakën e një llambe duke kërkuar të tregojë forcën e dashurisë së tij. Duke refuzuar edhe një herë tjetër një ndihmë ekonomike nga prindërit e tij, Van Gogh riniset për në Aja, ku merr leksione pikture nga piktori Anton Mauve, por edhe me të marrëdhëniet shkatërrohen, sepse Vincent nuk kishte dëshirë të punonte me gips.

Rikthim në shtëpi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në këtë periudhë Vincent njeh një prostitutë rrobalarëse të alkoolizuar, Sien Hoornik (që do të jetë edhe modelja e tij) dhe shkon të jetojë me të dhe me djalin e saj. Shëndeti i saj fillon t’i hapë probleme dhe në këtë periudhë sëmuret nga gonorea. Lidhja e tyre mbizotërohet nga dehjet emocionale të të riut Vincent, i cili për shkak të egërsisë së jetës së tij do të mbetet gjithmonë i ngurtësuar në mes të çmendurisë dhe dashurisë më të pastër. Nga ky pasion i parë do të mbetet piktura e mrekullueshme "Sorroë". Xhaxhi i tij bën një porosi për njëzet piktura peizazhesh. Kjo do të jetë vetmja punë e tij me porosi. Fillon të pikturojë me ngjyra vaji peizazhe dhe portrete, kurse vëllai i tij i paguan materialet. Dëshironte të martohej me Sien-ën, por familja e frenon dhe Vincent merr vendimin e dhimbshëm për t’u ndarë me të pas një viti bashkëjetesë.

Nga viti 1883 deri në 1885 jeton me prindërit në Nuenen dhe në harkun e këtyre viteve pikturon dyqind tablo, kujdeset me shumë dashuri për të ëmën, e cila kishte thyer njërën këmbë dhe merr leksione muzike dhe kantoje, sepse mendon se ekziston një lidhje midis ngjyrës dhe muzikës. Sajon një atelie në një ahur të shtëpisë-famulli të babait të tij, i cili vdes nga një goditje apopleksike më 26 mars 1885. Në këtë kohë pikturon “Ngrënësit e patateve”.

Parisi dhe piktorët e "Petit Boulevard"

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Viti tjetër e gjen Van Gogh të sëmurë rëndë për shkak të mosushqyerjes dhe duhanit. Ndërkohë nuk e ndërpret për asnjë moment leximin leksionet e pikturës. Një agjent shitjesh i blen një seri pikturash, por shet vetëm njërën prej tyre për disa qindarka, duke i hedhur të tjerat në zjarr. Në Paris lidh miqësi me Paul Gauguin, dhe bashkë me të e me Henri de Toulouse-Lautrec e ad Emile Bernard themelojnë të ashtuquajturin grupin e Piktorëve të Petit-Boulevard, për t’u dalluar nga grupi i piktorëve të Grand-Boulevard (Claude Monet, Alfred Sisley, Camille Pissarro, Edgar Degas, Georges-Pierre Seurat), që përfaqësoheshin në galerinë e Theo-s.

Ngjyrat e Arles-it

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më pas i duhet të lërë Parisin dhe të transferohet në Arles, ku gjen një shtëpi dhe vendos të pikturojë fasadat e verdha. Në qytetin francez pikturon mes të tjerash disa prej kryeveprave të tij kryesore që karakterizohen nga ngjyra të shndritshme plot jetë ndër të cilat “Vazoja me 12 luledielli”, “Ura e Langlois”, “Kafja e natës” dhe “Shtëpia e verdhë”. Pikërisht gjatë qëndrimit në Arles ndodh një nga episodet më të diskutuara dhe dramatike të jetës së Van Gogh. Natën e 23 dhjetorit piktori pret veshin e majtë dhe e çon në një shtëpi publike, për t’ia dhuruar një prostitute me të cilën ishte dashuruar. Ndërkohë shtrohet në spital me diagnozën e epilepsisë, alkoolizmit dhe skizofrenisë dhe pikturon “Autoportretin” me veshin e fashuar.

Që nga ai moment Van Gogh do të ketë gjithmonë e më shumë kriza haluçinacionesh dhe do të shtrohet herë pas here në spital për t’u kuruar nga sëmundjet mendore. Në këtë periudhë pikturon “Iris” dhe “Pemët e qiparisit”. Pas krizës së fundit kurohet në maj të 1890-ës në Auvers-sur-Olse. Këtu njihet me mjekun-piktor që e kuron, Paul Gachet, të cilin e portretizon në një pikturë shumë të famshme. Pikturat e kësaj periudhe përshkohen nga një ndjenjë e fortë depresioni. Ndjeshmëria e tij e lë të plagosur pas çdo vështrimi dhe komenti, që njerëzit nuk ua kursejnë kurrë personave të çuditshëm.

Më 27 korrik 1890 shkon tek çifti i pronarëve të hanit ku jetonte. Ndihej shumë keq dhe u tregon se ishte qëlluar me një revolver nga një fshat aty pranë varrezave në Auvers-sur-Oise, ndërsa pikturonte veprën e tij të fundit. Vdiq më 29 korrik dhe u varros një ditë më pas në po atë varrezë ku u qëllua. Në funeralin e tij ishin të pranishëm i vëllai Theo, doktor Gachet dhe shumë artisë. Arkivoli mbulohet i gjithi me luledielli. Pak muaj më pas, më 25 janar 1891, vdiq i vetëvrarë edhe i vëllai, Theo.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]