Informacione të rëndësishme për administrimin e iPhone
Pastrimi Pastrojeni iPhone menjëherë nëse bie në kontakt me diçka që mund të shkaktojë njolla apo dëmtime të tjera, si p.sh. papastërti, rërë, bojë, grim, sapun, detergjent, acide ose ushqime acide, ose locione. Për ta pastruar:
Shkëputni të gjitha kabllot dhe fikni iPhone duke shtypur dhe mbajtur shtypur butonin anësor ose butonin Gjumë/Zgjim (në varësi të modelit tuaj), më pas zvarrisni rrëshqitësin.
Përdorni një copë të butë pa push, pak të njomë, për shembull, një copë për pastrimin e lenteve.
Shmangni lagështirën nga hapjet.
Mos përdorni produkte pastrimi ose ajër me presion.
iPhone ka veshje oleofobike (që largon vajin) dhe rezistuese ndaj shenjave të gishtave. Kjo veshje konsumohet me kalimin e kohës nga përdorimi normal. Produktet pastruese dhe materialet gërryese dëmtojnë më tej veshjen ose mund ta gërvishtin iPhone.
Ekspozimi ndaj lëngjeve dhe pluhurit Nëse mbi iPhone spërkaten lëngje ose bie pluhur, fshijeni me një copë të butë pa push, (për shembull një copë për pastrimin e lenteve) dhe sigurohuni që iPhone të jetë i thatë dhe pa pluhur përpara se të hapni mbajtësen e kartës SIM. Minimizoni ekspozimin e iPhone ndaj sapunit, detergjenteve, acideve ose ushqimeve acide, si dhe çdo lëngu tjetër, për shembull uji i kripur, uji me detergjent, uji i pishinës, parfumet, solucionet për të larguar insekte, locionet, kremi i diellit, vaji, heqësi i adezivëve, boja e flokëve dhe tretësit. Nëse iPhone bie në kontakt me një prej këtyre substancave, ndiqni udhëzimet e mësipërme në seksionin Pastrimi.
Modelet e mbështetura janë rezistente ndaj spërkatjeve, ujit dhe pluhurit dhe janë testuar sipas kushteve të kontrolluara laboratorike me një vlerësim prej IP68 ose IP67 sipas standardit IEC 60529. Rezistenca ndaj spërkatjeve, ujit dhe pluhurit nuk janë gjendje të përhershme dhe rezistenca mund të ulet si rezultat i konsumimit normal. Dëmtimi nga lëngjet nuk mbulohet nga garancia. Shikoni artikullin e Ndihmës së Apple Rreth rezistencës ndaj spërkatjeve, ujit dhe pluhurave të iPhone 7 e lart. Për të parandaluar dëmtimin nga lëngjet në iPhone, shmangni sa më poshtë:
Notimi ose larja me iPhone
Ekspozimi i iPhone ndaj ujit me presion ose ujit me shpejtësi të lartë, si p.sh. në dush, ski në ujë, ski me motoskaf, sërf, motorë uji, etj.
Përdorimi i iPhone në sauna
Zhytja e qëllimshme e iPhone në ujë
Përdorimi i iPhone jashtë kufijve të sugjeruar të temperaturës ose në kushte me shumë lagështirë
Rrëzimi i iPhone ose goditjet e tjera të tyre
Çmontimi i iPhone, duke përfshirë heqjen e vidave
Nëse iPhone ekspozohet ndaj lëngjeve, shkëputni të gjitha kabllot dhe mos e karikoni pajisjen derisa të jetë krejtësisht e thatë. Përdorimi i aksesorëve ose karikimi kur është i lagur mund ta dëmtojnë iPhone. Lejoni të kalojnë të paktën 5 orë përpara see të karikoni ose të lidhni aksesorin Lightning.
Për të tharë iPhone, shkundeni lehtë kundrejt dorës suaj, me konektorin Lightning me kokë poshtë për të hequr lëngjet e tepërta. Lëreni pajisjen në një zonë të thatë me qarkullim të mjaftueshëm ajri. Vendosja e pajisjes mbi një ventilator që fryn ajër direkt mbi konektorin Lightning mund të ndihmojë në procesin e tharjes.
Mos e thani iPhone duke përdorur një burim të jashtëm nxehtësie ose duke futur në konektorin Lightning një objekt të huaj, si p.sh. tampon pambuku apo kartëpecetë.
Përdorimi i bashkuesve, portave dhe butonave Asnjëherë mos e futni me zor një bashkues në një portë ose mos aplikoni presion të tepruar mbi një buton, sepse kjo mund të shkaktojë dëmtime që nuk mbulohen nga kjo garanci. Nëse bashkuesi dhe porta nuk bashkohen me lehtësi të arsyeshme, ndoshta ato nuk përputhen. Kontrolloni për pengesa dhe sigurohuni që bashkuesi të përputhet me portën dhe që ta keni pozicionuar bashkuesin saktë në lidhje me portën.
Kablloja Lightning-USB Çngjyrosja e kontektorit Lightning pas përdorimit të rregullt është normale. Papastërtitë, mbetjet dhe ekspozimi ndaj lagështirës mund të shkaktojnë çngjyrosje. Nëse kablloja juaj Lightning ose konektori ngrohen gjatë përdorimit, iPhone nuk karikon apo sinkronizon, shkëputeni nga kompjuteri ose përshtatësi i rrymës dhe pastrojeni konektorin Lightning me një copë të butë, të thatë dhe pa push. Mos përdorni lëngje ose produkte pastrimi kur pastroni bashkuesin Lightning.
Disa mënyra përdorimi mund të ndikojnë në dëmtimin apo prishjen e kabllove. Kablloja Lightning-USB, ashtu si telat apo kabllot e tjera metalike, mund të dobësohet ose dëmtohet nëse përthyhet në mënyrë të përsëritur në të njëjtën pikë. Përthyejeni kabllon në formë harku dhe jo me kënde. Kontrollojeni rregullisht kabllon për përthyerje, thyerje apo dëmtime të tjera. Nëse gjeni dëmtime të tilla, mos e përdorni kabllon Lightning-USB.
Temperatura e përdorimit iPhone është krijuar të funksionojë në temperatura ambienti mes 32° dhe 95° F (0° dhe 35° C) dhe të magazinohet në temperatura mes -4° dhe 113° F (-20° dhe 45° C). iPhone mund të dëmtohet dhe jetëgjatësia e baterisë të shkurtohet nëse magazinohet ose përdoret jashtë këtyre temperaturave. Shmangni ekspozimin e iPhone ndaj ndryshimeve dramatike në temperaturë ose ndaj lagështisë. Kur përdorni iPhone ose karikoni baterinë, është normale që iPhone të ngrohet.
Nëse temperatura e brendshme e iPhone tejkalon temperaturat normale të punës (për shembull, në një makinë të nxehtë ose në rrezet e drejtpërdrejta të diellit për periudha të gjata kohe), ju mund të përjetoni situatat e mëposhtme ndërsa telefoni përpiqet të rregullojë temperaturën e tij:
iPhone ndalon së karikuari.
Ekrani zbehet.
Shfaqjet një ekran për paralajmërimin e temperaturës.
Disa aplikacione mund të mbyllen.
E rëndësishme: Ju mund të mos jeni në gjendje ta përdorni iPhone gjatë kohës që shfaqet ekrani i paralajmërimit të temperaturës. Nëse iPhone nuk mund të rregullojë temperaturën e tij të brendshme, ai shkon në një regjim gjumi të thellë derisa të ftohet. Vendoseni iPhone në një vend më të freskët larg dritës së drejtpërdrejtë të diellit dhe prisni disa minuta përpara se të provoni ta përdorni iPhone përsëri.
Shikoni artikullin e Ndihmës së Apple Mbajtja e iPhone, iPad dhe iPod touch brenda temperaturave të pranueshme të punës.